Franca është përfshirë këtë të shtunë, më 7 nëntor, nga një tjetër valë protestash kundër kostos së lartë të jetesës dhe kushteve në sistemin arsimor. Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, dolën në rrugët e qyteteve kryesore, ndërsa në disa zona demonstratat u shoqëruan me përplasje me policinë.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protestat e zhvilluara në të gjithë vendin morën pjesë rreth 146 mijë persona, prej të cilëve 46 mijë në Paris. Ndërkohë, organizatat studentore dhe sindikatat e të rinjve pretendojnë se numri i pjesëmarrësve arriti në 250 mijë.
Në kryeqytetin francez, marshimi nisi nga Sheshi i Republikës dhe përfundoi në Sheshin e Kombit .
Tubimi u zhvillua kryesisht në mënyrë paqësore, por në përfundim pati përplasje mes disa grupeve të protestuesve dhe forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese, pasi disa persona hodhën sende dhe mjete piroteknike drejt efektivëve.
Incidente u regjistruan edhe në Lion, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një grumbullim të paautorizuar. Tensione pati gjithashtu në qytete si Marseja, Bordoja, Tuluzë, Nantë dhe Strasburgu.
Bilanci i autoriteteve, sipas përditësimit të orës 19:00, fliste për 360 persona të ndaluar në të gjithë vendin. Për garantimin e sigurisë ishin angazhuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë.
Ndërkohë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë u përpoq të organizonte një tubim të veçantë në Sheshin e Konkordës në Paris, por grumbullimi ishte ndaluar nga autoritetet dhe disa prej organizatorëve u shoqëruan nga policia.
Kjo është fundjava e katërt radhazi e protestave në Francë. Megjithatë, pjesëmarrja ka shënuar rënie të ndjeshme: nga 550 mijë protestues më 17 tetor, në 410 mijë më 24 tetor, 320 mijë më 31 tetor dhe 146 mijë këtë të shtunë, sipas shifrave zyrtare.
Protestat zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe ekonomike, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.