Qeveria franceze po përgatit masa të shtuara sigurie për protestat e së shtunës, më 24 tetor, kundër rritjes së kostos së jetesës. Vendimi vjen pas episodeve të dhunës, shkatërrimeve dhe grabitjeve të regjistruara gjatë manifestimeve të mëparshme.
Zëvendësministri i Brendshëm, Jean-Didier Berger, ka deklaruar se autoritetet do të angazhojnë kapacitete të shtuara policore për të garantuar rendin publik. Sipas tij, numri i efektivëve të mobilizuar pritet të jetë 20% më i lartë krahasuar me javën e kaluar.
Plani operacional parashikon mbrojtjen e objekteve strategjike dhe ndërhyrjen e shpejtë në zonat ku mund të regjistrohen incidente. Trupat ushtarake “Sentinelle” do të angazhohen për ruajtjen e pikave të rëndësishme, përfshirë ambasadat dhe ndërtesat qeveritare.
Në gatishmëri do të jenë gjithashtu njësitë speciale RAID, GIGN dhe BRI, të cilat mund të mbështesin forcat e rendit në situata kritike. Operacioni do të përfshijë edhe helikopterë për vëzhgim ajror, automjete të blinduara për menaxhimin e trazirave dhe, aty ku është e mundur, policinë bashkiake.
Ndërkohë, në Lyon, autoritetet kanë marrë masa më kufizuese. Pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave të 17 tetorit, prefektura e qytetit ka vendosur ndalimin e tubimeve publike për të shtunën, më 24 tetor, sipas dekretit zyrtar.
Masat e reja tregojnë për nivelin e lartë të gatishmërisë së autoriteteve franceze, të cilat synojnë të shmangin përsëritjen e skenave të dhunës gjatë protestave të radhës.