Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot listën e personave të arrestuar gjatë protestave në Tiranë, të cilët, sipas tij, nuk janë studentë dhe nuk i përkasin kësaj kategorie.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë,, Rama paraqiti emrat me iniciale dhe fotografitë e personave me sytë e mbuluar, duke përmendur edhe akuzat për të cilat ata janë arrestuar, si dhe precedentët e tyre të mëparshëm penalë.
“Po, ndaj me ju pamje që do të trondisin shumë kënd. Është ruajtur konfidencialiteti në respekt të ligjit. Të gjithë janë persona të ndaluar dhe subjekt i ligjit. U ndaluan në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në një front proteste”, deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi se personat në fjalë mbështesin dhunën përmes rrjeteve sociale, përfshirë Instagramin dhe TikTok-un, me synimin për të ushtruar presion ndaj qeverisë.
“Fytyra që janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja që duan të përmbysin Shqipërinë. Këta nuk janë studentët. E kam thënë që në krye të herës dhe tani është koha që kjo fjali të mbështetet nga fakte e dokumente”, u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit përbëjnë pretendime të tij lidhur me personat e ndaluar dhe motivet e protestave. Përgjegjësia penale dhe çdo lidhje e mundshme me krimin e organizuar apo aktorë të huaj duhet të përcaktohen nga provat dhe procedurat përkatëse ligjore.








































