Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, këtë të mërkurë ka marrë pjesë në ceremoninë e pritjes së studentëve të rinj në Akademinë e Sigurisë, ku ka përcjellë edhe një mesazh të rëndësishëm për të ardhmen e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Demo njoftoi se është në rrugë të mbarë një rritje e konsiderueshme e pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e trajtimit të efektivëve.
“Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj, ditën që ju do të dilni në detyrë, do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, deklaroi Demo.
Ministri theksoi se përmirësimi i pagave është pjesë e një qasjeje më të gjerë për ndërtimin e një standardi të ri profesional për Policinë e Shtetit, ku përgjegjësia dhe profesionalizmi të shoqërohen me vlerësim dhe mbështetje për punonjësit.
Sipas tij, ky standard i ri duhet të nisë pikërisht nga brezi i ri që po trajnohet në Akademinë e Sigurisë.
“Një standard i ri, unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri.