Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosjen e sanksioneve administrative ndaj 13 partive politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Kërkesa, e datës 3 tetor 2026, vjen pas kontrollit dhe auditimit të raporteve financiare për fondet e përfituara dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës zgjedhore. Sipas dokumentit, janë konstatuar shkelje të legjislacionit zgjedhor dhe të detyrimeve për transparencë financiare.
Shkeljet e evidentuara përfshijnë vonesa në dorëzimin e raporteve financiare, mosdorëzim të tyre nga kandidatët e listave shumëemërore, mosdeklarim të transaksioneve bankare, si dhe pasaktësi e gabime aritmetike dhe kontabël.
Gjobat e propozuara
Gjobë prej 2 milionë lekësh, për mosdorëzim të raportit financiar:
- Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
- Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
Gjobë prej 500 mijë lekësh:
- Partia Bashkimi Liberal Demokrat
- Partia Aleanca Demokracia e Re
- Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë
- Partia Kristian Demokrate
- Partia Lëvizja Atdheu
- Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare
Gjobë prej 100 mijë lekësh:
- Partia Balli Kombëtar
- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
- Partia Djathtas 1912
- Partia Socialdemokrate
- Partia Nisma Thurje
Dokumenti zyrtar i është përcjellë KAS-it për shqyrtim dhe vendimmarrje përfundimtare, në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Mbledhja e komisionit për shqyrtimin e kërkesës po zhvillohet sot.
Gjobat janë masa të propozuara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe jo vendime përfundimtare të KAS-it.