Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës i kanë drejtuar një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
Në shkresë, ata kërkojnë transparencë mbi arsyet ligjore të transferimit, garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe verifikimin e çdo kufizimi të pajustifikuar.
Këshilltarët shprehin shqetësimin se transferimi i fundit e largon edhe më shumë Veliajn nga selia e bashkisë së Tiranës që ai drejton.
Sipas tyre, pavarësisht gjendjes së paraburgimit, mandati i tij nuk është ndërprerë dhe se duhet të garantohet funksionimi i institucionit në përputhje me kompetencat që parashikon ligji.