Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë, duke i cilësuar ato si një fenomen kompleks, ku ndërthuren shqetësime dhe interesa të ndryshme.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i qeverisë theksoi se çdo protestë duhet të shërbejë si një mundësi për reflektim, ndërsa për të përshkruar situatën aktuale përdori metaforën e një “tenxhereje ku zien gjithçka”.
Sipas Ramës, në protestat e fundit janë të pranishëm faktorë të ndryshëm, duke nisur nga shqetësimet për mjedisin dhe pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, deri te ndikimet e jashtme, opozita, grupet radikale dhe individë që, sipas tij, kanë lidhje me krimin e organizuar.
“Sfondi i kësaj proteste është mjaft kompleks. Është si një tenxhere ku zien gjithçka: nga shqetësimi për mjedisin, te grupet e ndezura nga armiqtë e vendit tonë, partitë e opozitës që fshihen pas tyre, iluzionet e ANTIFA-s, njerëz me halle për koston e jetesës, e deri te individë të sjellë nga krimi i organizuar”, u shpreh kryeministri.
Rama u ndal edhe te çështja e kostos së jetesës, duke deklaruar se në buxhetin e ri të shtetit janë parashikuar masa që synojnë të zbusin vështirësitë ekonomike dhe presionin mbi qytetarët.
Në përfundim, kreu i qeverisë vuri në dukje se problematika të ngjashme sociale dhe politike nuk janë të pranishme vetëm në Shqipëri, por karakterizojnë edhe vende të tjera europiane.