Një nismë e pazakontë ligjore ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pasi avokati kenian Dola Indidis ka kërkuar që Izraeli dhe Italia të mbajnë përgjegjësi për procesin gjyqësor që çoi në dënimin dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.
Indidis, ish-zëdhënës i gjyqësorit në Kenia, pretendon se gjykimi i Jezusit ishte i padrejtë dhe u shoqërua me shkelje të rënda procedurale, abuzim me pushtetin dhe një vendim të paligjshëm.
Në kërkesën e tij, avokati ka përfshirë edhe figura historike si Ponc Pilati, mbreti Herod dhe perandori romak Tiber. Ai argumenton se rrethanat që çuan në ekzekutimin e Jezusit duhet të shqyrtohen nga këndvështrimi i së drejtës.
Çështja u paraqit fillimisht në Nairobi në vitin 2007, por kërkesa e tij u rrëzua. Pavarësisht kësaj, Indidis nuk hoqi dorë nga nisma dhe kërkoi që çështja të shqyrtohej edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka kompetencë të shqyrtojë padi individuale të kësaj natyre, pasi mandati i saj lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore ndërmjet shteteve.
Nisma ka rihapur debatet mbi përgjegjësinë historike për kryqëzimin e Jezusit. Nga ana tjetër, organizata hebraike kanë shprehur shqetësimin se rikthimi i akuzave kolektive për këtë ngjarje mund të ushqejë stereotipe dhe qëndrime antisemitiste.
Një përpjekje ligjore e pazakontë, e cila edhe pse nuk ka pasur sukses në gjykata, vazhdon të tërheqë vëmendje për shkak të natyrës së saj dhe temës historike që prek.