Teksa prej tre javësh të rinj e qytetarë të ndryshëm janë ngritur në protesta në Tiranë që kanë përfshirë edhe përplasje të forta me policinë, tanimë duket se kjo lëvizje po hedh hapat drejt ngjizjes së një organizimi të ri politik.
Në platformën “Lëvizja Studentore Kombëtare”, ku janë regjistruar mijëra persona, janë vetë këta të fundit që zgjedhin se cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre në organizimin e ri që pritet të marrë jetë së shpejti.
Por ndërsa dy javët e para janë votuar emrat të ndryshëm nga fusha të ndryshme që mund të marrin mbështetje maksimale për të qenë përfaqësuesë të lëvizjes studentore, në ditën e fundit është zhvilluar një sondazh rreth figurave politike që kanë garuar më herët në zgjedhjet në vendin tonë. Në sondazhin e ri votohet se sa të pranueshme mund të jenë këto figura politike për të qenë pjesë e lëzivjes së re. (LINKU)

Në sondazh janë përfshirë disa deputetë aktualë të Partisë Demokratike, si Jorida Tabaku dhe Saimir Korreshi, si dhe krerët e partive të reja politike, si Arlind Qori, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Po ashtu, në këtë sondazh është votuar edhe për kandidatë të tjerë, përfshirë deputeten socialiste Marjana Koçeku dhe kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi.
Por duket se nga votimet në këtë platformë, studentët nuk i preferojnë disa prej kandidaturave.
Në votimin në platformën “Lëvizja Studentore Kombëtare”, 8 nga 15 kandidatët kanë marrë besimin e të rinjve, ndërsa të tjerët jo. Gazetari Marin Mema është hequr nga lista me kërkesën e tij.
Më i votuari është deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, i cili ka marrë 598 vota pro nga 811 vota gjithsej, duke u bërë një nga personazhet politike më të pëlqyera nga studentët. Vlen të theksohet se Korreshi ishte një nga deputetët e PD-së që u pranua nga të rinjtë në protestë dhe ndaj tij nuk pati kundërshti.

Studentët kanë votuar pro edhe për Agron Shehajn, i cili ka marrë 529 vota pro nga 852 vota gjithsej në portalin e të rinjve. Po ashtu, edhe Erald Kapri, Dashamir Shehi, Ilir Alimehmeti, Tomorr Alizoti, Myslim Murrizi dhe historiania Elisa Kocaqi kanë marrë pëlqimin e shumicës së studentëve.

Një rezultat surprizë ka marrë pedagogu dhe kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i cili nuk është ndër të preferuarit e studentëve. Këta të fundit kanë votuar kundër tij, ndërsa 560 të rinj kanë shprehur se nuk e preferojnë si përfaqësues të tyre. Gjithashtu, rezultat negativ ka marrë edhe deputeti i kësaj force politike, Redi Muçi.

Po ashtu refuzim në këtë platformë kanë marrë edhe figura të tjera të politikës, si Jorida Tabaku, Marjana Koçeku, Kreshnik Osmani, Adriatik Lapaj dhe Ilirjana Kuçana.

Kujtojmë se kjo nismë studentore vjen pas zhvillimeve politike në Serbi, ku lëvizja studentore u përfshi në procesin zgjedhor dhe sfidoi pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, të cilin e rrëzoi pas 14 vitesh në pushtet.
Studentët shqiptarë duket se po frymëzohen nga përvoja serbe për të krijuar një organizim të përbashkët dhe të pavarur, si dhe për të garuar në zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë.