Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Bashkim Zeneli, një nga emrat e njohur të diplomacisë shqiptare. Diplomati i njohur ndërroi jetë në një spital jashtë vendit, ku po merrte trajtim mjekësor.
Gjatë karrierës së tij, Zeneli dha një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke përfaqësuar vendin në periudha të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe diplomatike.
Përveç karrierës diplomatike, Bashkim Zeneli ka qenë edhe deputet i Kuvendit, gazetar dhe publicist. Ai ka botuar disa libra dhe ka publikuar shkrime të shumta.
Për kontributin e tij në diplomaci, politikën e jashtme dhe çështjen kombëtare, Zeneli është nderuar nga presidenti i atëhershëm, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i Madh”.