Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka fshur ambicien e tij për Çmimin Nobel për Paqen, i cili pritet të shpallet më 9 tetor. Trump tha se meritat e tij në ndërmjetësimin e konflikteve duhet të merren në konsideratë nga Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Në një prononcim në Zyrën Ovale, Trump tha se administrata e tij ka luajtur rol në zgjidhjen e disa konflikteve ndërkombëtare dhe pretendoi se ai vetë ka “zgjidhur tetë luftëra”.
“Nuk po mburrem. Po ju tregoj vetëm faktet. Asnjë president ndoshta nuk ka zgjidhur ndonjë luftë. Unë kam zgjidhur tetë luftëra, dhe ato të mëdha”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan përmendi gjithashtu përpjekjet e administratës së tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe kthimin e pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi, duke i cilësuar këto si pjesë të arsyeve përse ai beson se e meriton çmimin prestigjioz.
Trump është shprehur prej kohësh se beson se e meriton Nobelin për Paqen. Ai ka kritikuar gjithashtu vendimin e vitit 2009 për t’ia dhënë çmimin ish-presidentit amerikan Barack Obama, në vitin e parë të presidencës së tij.
Në deklaratat e tij të 7 tetorit, Trump tha se përpjekjet e administratës amerikane për të penguar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore kanë shpëtuar miliona jetë dhe, sipas tij, mund të kenë parandaluar një katastrofë më të madhe globale.
“Pavarësisht nëse e marr apo jo, kam bërë shumë më tepër dhe mendoj se do të ishte një diskreditim i madh për ta”, tha Trump, duke iu referuar Komitetit Norvegjez të Nobelit.
Ndërkohë, çmimi i vitit të kaluar iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane Maria Corina Machado, e cila gjatë një vizite në Zyrën Ovale ia dorëzoi Trumpit çmimin e saj. Vendimi për fituesin e Çmimit Nobel për Paqen pritet të shpallet më 9 tetor.