Gazment Bardhi ka reaguar ashpër ndaj përplasjeve politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke i cilësuar ato si një luftë të brendshme për pushtet, ndërsa ka akuzuar Partinë Socialiste për sjellje mafioze.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaron se Shqipëria përballet me probleme shumë më të mëdha sesa konflikti mes Ramës dhe Veliajt. Sipas tij, zhvillimet e fundit nuk përbëjnë surprizë, por konfirmojnë, në këndvështrimin e opozitës, mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.
“Shqipëria ka halle shumë më të mëdha sesa lufta e brendshme mafioze mes Ramës dhe Veliajt”, shkruan Bardhi, i cili përfshin në reagimin e tij edhe emrin e Gogut.
Deputeti demokrat përdor gjuhë të ashpër ndaj drejtuesve socialistë, duke pretenduar se brenda partisë ka shantazhe dhe kërcënime mes anëtarëve. Ai e përshkruan situatën si pasojë të një modeli politik që, sipas tij, po kthehet kundër vetë përfaqësuesve të tij.
Bardhi shprehet gjithashtu se përplasjet e brendshme të socialistëve nuk duhet të kthehen në një pengesë për vendin dhe qytetin e Tiranës.
“Shqipëria nuk mund të mbetet peng i përplasjeve dhe pazareve të tyre”, thekson ai në reagimin e tij.
Në përfundim, demokrati nënvizon se problemi i vendit është shumë më i madh sesa lufta për pushtet brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë të fundit si të korruptuar.
Reagimi i Bardhit vjen në një klimë tensionesh politike rreth zhvillimeve që përfshijnë Ramën dhe Veliajn. Akuzat e ngritura në postimin e tij përfaqësojnë qëndrimin politik të deputetit demokrat.
REAGIMI I PLOTË
Shqipëria ka halle shumë më të mëdha sesa lufta e brendshme mafioze mes Ramës dhe Veliajt. Nuk ka asnjë surprizë në sjelljen e Rama-Veliaj-Gogu. Ata thjesht po dëshmojnë çdo ditë se janë pikërisht ajo parti që ne kemi denoncuar prej kohësh: një organizatë mafioze, ku anëtarët sillen si mafiozë, shantazhojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin.
Kur një parti politike shndërrohet në një organizatë mafioze, herët a vonë vjen dita kur anëtarët e saj kthehen kundër njëri-tjetrit dhe fillojnë të hanë kokat e njëri-tjetrit. Dhe duket se pikërisht në këtë pikë kanë mbërritur sot. Për gjithçka që i kanë bërë Shqipërisë dhe Tiranës, Zoti ua shtoftë inatin!
Shqipëria nuk mund të mbetet peng i përplasjeve dhe pazareve të tyre. Problemi i vendit është shumë më i madh sesa lufta për pushtet brenda kësaj organizate mafioze të korruptuar.
