Papa Leone XIV ka përcjellë mesazhin e tij të parë pas ndërhyrjes kirurgjikale në Romë, duke shprehur mirënjohjen për besimtarët katolikë që i kanë qëndruar pranë me lutjet dhe mbështetjen e tyre gjatë kësaj periudhe.
Mesazhi i Atit të Shenjtë iu drejtua pjesëmarrësve të një simpoziumi të organizuar me rastin e 10-vjetorit të dokumentit Amoris laetitia, të publikuar nga paraardhësi i tij, Papa Françesku.
Në fjalët e tij, Papa shprehu keqardhjen që nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm në këtë aktivitet, ndërsa vlerësoi shkëmbimin e përvojave dhe dëgjimin e ndërsjellë mes pjesëmarrësve, duke i cilësuar ato si një dhuratë për të gjithë Kishën Katolike.
“Siç e dini, gjatë këtyre ditëve nuk kam mundur të jem mes jush”, shkroi Papa, duke falënderuar për lutjet dhe përkushtimin e besimtarëve. Në fund të mesazhit, ai kërkoi që ata të vazhdojnë të luten për të, duke theksuar se edhe ai lutet për ta.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Papa Leone XIV ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin Gemelli të Romës. Sipas informacioneve të publikuara nga Vatikani, ekzaminimi i indeve konfirmoi diagnozën e adenokarcinomës pulmonare, një formë e kancerit të mushkërive. Gjatë operacionit, që zgjati rreth 90 minuta, mjekët hoqën lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë. Ndërhyrja përfundoi me sukses dhe pa komplikacione.