Sokol Hoxha, 51-vjeçari i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie. Në seancë do të shqyrtohet kërkesa e tij për parashkrimin e dënimit penal.
Hoxha kërkon të përfitojë nga parashkrimi, duke pretenduar se kanë kaluar 26 vite pa u ekzekutuar vendimi i dhënë ndaj tij nga drejtësia shqiptare. 51-vjeçari nga Patosi është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Ndërkohë, drejtësia belge e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Sokol Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, të zhvilluar falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe SHBA-së.
Ai u ekstradua drejt Shqipërisë më 6 gusht dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg, të dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000. Pas ekstradimit, Hoxha ka kërkuar shuarjen e dënimit penal përmes parashkrimit, me pretendimin se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e vendimit.
Seanca e mëparshme, e zhvilluar një javë më parë, u shty për t’i kërkuar Gjykatës së Lartë informacion lidhur me vendimmarrjen më të fundit për këtë çështje.