Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka publikuar vendimet e radhës për shkeljet e konstatuara në aktivitetet futbollistike. Mes klubeve të ndëshkuara janë edhe disa skuadra të Abissnet Superiore, ndërsa dënimi më i rëndë është dhënë për një zyrtar të KF Shirokës, i pezulluar për 15 ndeshje.
AF Elbasani është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për sjelljen e gabuar të tifozëve, të cilët kanë ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike gjatë ndeshjes.
Gjithashtu, zyrtari i klubit, Klaudio Allkja, është pezulluar për katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.
Me të njëjtin dënim është ndëshkuar edhe Omer Bunjaku, zyrtari i KF Tiranës, i cili do të mungojë në katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Ndërkohë, FC Dinamo City është gjobitur me 50 mijë lekë për mosrespektimin e detyrimit për të nxjerrë përfaqësuesit e klubit në intervistat pas ndeshjes, në kundërshtim me rregulloren e aktivitetit.
Një nga vendimet më të rënda lidhet me KF Shirokën. Klubi është dënuar me 300 mijë lekë gjobë për lejimin e hyrjes së personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe mosgarantimin e sigurisë së zyrtarëve të takimit.
Ndërsa zyrtari i klubit, Ergi Axhami, është pezulluar për 15 ndeshje nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FSHF-ja, për shkak të sulmit ndaj zyrtarëve të takimit. Gjatë periudhës së pezullimit, atij i ndalohet gjithashtu hyrja në stadiume.
Në listën e vendimeve janë përfshirë edhe KF Këlcyra dhe KF Butrinti, të cilat janë dënuar secila me nga 300 mijë lekë gjobë për hedhjen e sendeve në fushë nga spektatorët dhe rrezikimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes.
Në të dyja rastet, klubet janë paralajmëruar për masa më të rënda nëse shkeljet përsëriten.
Komisioni ka ndëshkuar gjithashtu disa lojtarë dhe zyrtarë të ekipeve të moshave me pezullime nga dy deri në katër ndeshje.
Ndërkohë, FC Kinostudio U-14 dhe KF Tirana U-14 janë dënuar me nga 100 mijë lekë gjobë dhe humbjen e ndeshjeve përkatëse në tavolinë me rezultatin 3-0, pas braktisjes së tyre.
Një pezullim prej tre muajsh është dhënë edhe për zyrtarin e KF Tiranës U-14, Inker Kurti, për shkelje të parimeve të fair-play dhe tërheqjen e ekipit nga loja.