Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ofrojë një shpërblim prej 1 milion dollarësh për këdo që raporton raste të mashtrimit zgjedhor, qoftë në zgjedhjet e kaluara, qoftë në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, të planifikuara për vitin 2026.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se pagesat do të kryheshin pas arrestimit dhe dënimit të personave të dyshuar për kryerjen e mashtrimit. Megjithatë, ai nuk specifikoi se nga do të siguroheshin fondet për shpërblimet e premtuara.
“Kushdo që raporton mashtrim zgjedhor në zgjedhjet e kaluara ose në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2026, do të shpërblehet me 1 000 000 dollarë pas arrestimit dhe dënimit të personave që kanë kryer atë mashtrim!”, shkroi Trump, duke e mbyllur mesazhin me falënderimin për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.
Prej vitesh, Trump ka pretenduar se mashtrimi zgjedhor është i përhapur në SHBA dhe ka këmbëngulur se kjo ishte arsyeja e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Megjithatë, nuk ka prova që të dëshmojnë mashtrim të përhapur të votuesve në zgjedhjet amerikane.
Administrata e tij ka orientuar burime drejt identifikimit të shtetasve joamerikanë që mund të figurojnë në listat shtetërore të votuesve.
Në këtë kuadër, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur një padi kundër zyrtarëve të Kalifornisë, duke kërkuar akses në fletët e votimit me postë. Sipas departamentit, këto dokumente mund të përfshijnë edhe vota të personave që nuk janë shtetas amerikanë.