Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se palët mund të jenë më pranë një zgjidhjeje sesa më parë.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur janë shtuar spekulimet për një takim të mundshëm mes përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit gjatë samitit të G20-s, që pritet të mbahet në dhjetor, në resortin e Trump në Doral të Floridës.
I pyetur nëse synon të ulë dy palët në tryezën e negociatave gjatë këtij samiti, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shfaq optimist për ecurinë e përpjekjeve diplomatike.
“Unë mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje. Nuk e kam thënë këtë më parë. Siç e dini, urrejtja mes dy liderëve është e thellë, por ekziston një mundësi serioze për arritjen e një marrëveshjeje dhe ne po punojmë për disa marrëveshje”, deklaroi Trump.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto përpjekje do të përkthehen në hapa konkretë drejt përfundimit të luftës, ndërsa mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të përbëjnë një pengesë të rëndësishme për arritjen e paqes.