Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur pezullimin për dy vite të licencës së avokatit Lefter Xhengo, mbrojtësit të Leli Kajës, pasi ai mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme , pavarësisht bojkotit të shpallur nga avokatët.
Raportohet se vendimi u mor pas një mbledhjeje urgjente të Komitetit Disiplinor, të thirrur këtë të premte, për të shqyrtuar rastet e avokatëve që kanë marrë pjesë në seanca gjyqësore gjatë bojkotit.
Ndërkohë, Komiteti Disiplinor vijon shqyrtimin e rastit të një avokati tjetër, i cili një ditë më parë mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gerta Gjocit, duke mos iu bashkuar bojkotit.
Bojkoti i avokatëve është ndërmarrë në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, të cilën ata e kundërshtojnë me argumentin se cenon ushtrimin e lirë të profesionit dhe të drejtat e mbrojtjes.