Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila disa më parë u largua nga PS, në një postim në rrjetet sociale u ka bërë thirrje deputetëve socialistë që të kundërshtojnë në Kuvend projektligjin për reformën e re administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive.
Koçeku shkruan se deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës nuk duhet të konsiderohen “rebelë”, duke kritikuar njëkohësisht partinë për qëndrimin ndaj qytetarëve.
Ajo u bëri thirrje deputetëve socialistë që, nëse kanë kundërshtuar projektligjin, të ruajnë të njëjtin qëndrim edhe gjatë votimit në seancën plenare. Sipas Koçekut, komunitetet periferike janë ndër grupet që mund të preken nga ndryshimet e propozuara dhe ajo kërkon që ato të mos “braktisen” nga vendimmarrja politike.
“Deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale duhet ta dinë se nuk janë ata rebelët. Partia e tyne asht rebele, që i ka kthy shpinën qytetarëve. Nëse edhe sot të njëjtët deputetë e kundështojnë projektligjin e territoriales, e kanë kry me dinjitet detyrën e vet. Komunitetet periferike janë komunitete në nevojë. Mos i braktisni ato, siç i ka braktisë partia juej!”, shkruan Koçeku.