Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për Evis Berberin, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), dhe i ka komunikuar mbylljen e hetimeve për akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste.
Berberi është marrë i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në lidhje me procedurat e prokurimit publik të zhvilluara gjatë kohës kur drejtonte ARRSH-në.
Hetimi përfshin disa procedura të rëndësishme të prokurimit në sektorin e infrastrukturës, mes tyre tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Berberi është një nga 26 të pandehurit në dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. SPAK ka përfunduar hetimet edhe për Ballukun dhe 25 të pandehurit e tjerë, ndërsa dosja pritet t’i kalojë për gjykim Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka administruar edhe komunikime elektronike mes Ballukut dhe vartësve të saj. Në dosje përfshihen gjithashtu materiale të lidhura me telefonin e Berberit.