Kreu i PD-së, Sali Berisha, këtë të shtunë po zhvillon një takim me krerët e partive opozitare në lidhje me Reformën Territoriale, teksa mazhoranca socialiste ka deklaruar se do ta miratojë këtë reformë me votat e saj dhe pa konsensusin e PD-së.
Në fjalën e tij, kryedemokrati Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se do të shfrytëzojë mandatet e deputetëve për të votuar Reformën Territoriale, edhe pse sipas tij, janë jashtë të gjitha procedurave ligjore.
Sipas kreut të PD-së, kryeministri nuk mori parasysh asnjë propozim dhe nisma e PS-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës.
“Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do të ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij. Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet dhe nuk kishin përfunduar konsultimet. Megjithatë, ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki, duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur edhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera, në varësi të plotësimit të kritereve për ekzistencën e tyre.
Sigurisht, Edi Rama vazhdoi me projektin e tij. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum”, tha Berisha.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha gjatë fjalës së tij se opozita duhet t’i rikthehet protestave. Sipas Blushit, ditën kur të votohet Reforma Territoriale, opozita duhet të thërrasë qytetarët në protestë para Kuvendit, pasi nuk mund t’i lihet në dorë qytetarëve të 15 bashkive.
“Në kushtet kur Rama po vepron me parimin e faktit të kryer dhe kur jemi pak ditë para seancës së thirrur në mënyrë të njëanshme, mendoj se nuk kemi shumë kohë për të ndjekur rrugët procedurale, pra ankimimin në gjykata. Opozita nuk duhet t’ua delegojë betejën vetëm qytetarëve. Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët. Duhet të dalim me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e familjeve të tyre. Harta e propozuar nga Rama është hartë antikombëtare”, tha Blushi.
Po ashtu, kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka, nuk i kurseu kritikat për Berishën dhe Partinë Demokratike, pasi, sipas tij, ishte gabim pjesëmarrja në këto komisione. Ndërsa edhe propozimin e PD-së për 100 bashki e quajti sërish të gabuar, pasi, sipas tij, nuk është efikas.
“Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare. Ne duhet të ishim prezentë me përfaqësuesit tanë, opozita duhet të ishte aty. Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është efikas, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti”, u shpreh Ndoka.
Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, tha se opozita duhet të radikalizojë aksionin e saj, teksa bëri thirrje për protesta dhe mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
“Le të shpresojmë te protestat. Unë e përsëris atë ide edhe njëherë, bëjmë një thirrje, përveç protestave, dhe le t’i themi Partisë Socialiste apo Rilindjes. Jo se kam ndonjë besim të madh, por ne të bëjmë tonën, thashë edhe njëherë, për të treguar kush jemi ne. Dhe pastaj, jam dakord me idenë e Fatmirit që të mblidhemi sa më shpesh e të gjykojmë çfarë do të bëhet.
Po unë, në mendjen time, zëre se nuk e kam thënë, mendoj edhe të mos marrim pjesë fare në zgjedhje. Në qoftë se këta do të vazhdojnë me këtë mënyrë, me imponim, çfarë u bëhet? Domethënë, ndërkohë që anija e tij po fut ujë nga të gjitha anët. Nuk është aq, kaq trim ai sa të imponohet jo gjysmës së popullsisë së vendit, po tashmë shumicës dërrmuese, se as të vetët nuk e duan më”, deklaroi Starova.
Ndërsa pas këtij propozimi, Berisha doli kundër, pasi, sipas tij, dalja nga institucionet dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë në favor të Ramës.
“Braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës. Se si e bllokon kur merr 83 mandate, unë nuk e di. E ka zgjidhur ai problemin, me 83 mandate ai i përdor ato për të gjitha gjërat që i duhen, ligje të kësaj natyre. Në zgjedhje bllokohet, po nuk more pjesë në zgjedhje, ai zgjedhjet i zhvillon siç i zhvilloi.
Madje duhet të dish një gjë: kur u dogjën mandatet, zotëria e ekzekutoi vendimin për 24 orë, kur hapësira ligjore ishte 3 javë. Dhe, në fakt, duhet ta dimë, në qoftë se PD nuk mori ndëshkimin për precedentin që krijoi, nuk e mori sepse e panë që ky e donte atë punë dhe e bënë bashkëpërgjegjësinë. Se PD mandatet nuk kishte asnjë lloj tagri t’i digjte.
Kështu kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve. Kur të doni, marrim vendimet dhe i diskutojmë, por dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij. Se të paktën janë përdorur, për asgjë tjetër, sot ata që numërojnë me shumë të drejtë me dhjetëra e qindra akte kriminale të kësaj qeverie, të gjitha janë të denoncuara në parlament dhe SPAK nga kjo opozitë.
Kjo ka ndodhur. Por vetëm kaq, se ky i ka nën kontroll të gjitha, siç e shihni vetë. Këtë Reformën Territoriale e ndërpreu vetë, e pa se konsultimet janë kundër tij, tha: ‘Ik, se nuk më duhen konsultimet mua’”, shtoi ai.