Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, duke komentuar edhe thirrjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për dialog me protestuesit.
Në deklaratën e saj, Koçiu dënoi aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestave, duke theksuar se ato kanë shkaktuar dëme në biznese, institucione publike dhe kanë vënë në shënjestër punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas saj, është e papranueshme që veprime të tilla të kryhen në emër të studentëve, përfshirë edhe të miturit që marrin pjesë në protesta.
Zëvendëskryeministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përgatit një paketë masash administrative, e cila synon të detyrojë personat që shkaktojnë dëme në pronën publike të përgjigjen financiarisht për pasojat e veprimeve të tyre.
“Parimi është që kush shkatërron pronën duhet të dëmshpërblejë të gjitha ato dëmtime që vijnë si rezultat i dhunës”, u shpreh Koçiu, duke nënvizuar se investimet publike financohen nga taksat e qytetarëve.
Sa i përket mundësisë së dialogut, ajo përsëriti se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat dhe propozimet e studentëve dhe qytetarëve, por përjashtoi bisedimet me personat që, sipas saj, nxisin ose ushtrojnë dhunë.
“Jemi të hapur për të dialoguar, por jo ndaj dhunuesve dhe ndaj organizatorëve të dhunës. Jemi të hapur ndaj çdo studenti dhe ndaj çdo qytetari”, deklaroi zëvendëskryeministrja.
Koçiu paralajmëroi gjithashtu se personat për të cilët do të ketë prova për shkelje të ligjit do të përballen me institucionet e drejtësisë. Ajo theksoi se, në rastet kur konstatohen vepra penale, përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore.
E pyetur nëse qeveria është e gatshme të pranojë propozimet e studentëve, Koçiu u përgjigj pozitivisht, duke bërë dallimin mes kërkesave të studentëve dhe veprimeve të dhunshme. Sipas saj, dialogu mbetet një mundësi e hapur, ndërsa dhuna nuk mund të jetë rruga për zgjidhjen e problematikave.
“Patjetër që po, jemi të gatshëm dhe në çdo moment për të marrë propozimet e studentëve”, përfundoi ajo.