Protesta studentore në Tiranë do të vijojë edhe këtë fundjavë. Studentët kanë njoftuar se të shtunën, në orën 12:00, do të mblidhen përpara Ministrisë së Arsimit.
Në mbështetje të tyre pritet të jenë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar kërkesave të të rinjve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Edhe Partia Demokratike ka njoftuar një protestë kombëtare për këtë të shtunë. Kryetari i saj, Sali Berisha, u ka bërë thirrje anëtarëve, mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve nga mbarë vendi që të marrin pjesë në tubimin e orës 12:00, në mbështetje të protestës studentore.
Berisha vlerësoi qëndresën e studentëve dhe të rinjve që prej disa ditësh protestojnë në rrugët e Tiranës, duke e cilësuar lëvizjen e tyre si dëshmi të guximit qytetar. Ndërkohë, studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 do ta vijojnë protestën përpara Kryeministrisë.
Për momentin, nuk dihet sa do të zgjasin tubimet apo nëse do të ketë përplasje me policinë. Protestat e mëparshme janë shoqëruar me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.