Policia e Tiranës ka arrestuar 33 persona dhe ka proceduar penalisht 41 të tjerë, pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. Sipas njoftimit të Policisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore, përfshirë raste të zjarrvënies.
Policia bën me dije se gjatë protestës, si pasojë e sulmeve dhe dhunës së ushtruar nga persona të maskuar, janë dëmtuar shtatë punonjës policie.
Mes 33 personave të arrestuar janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç. Autoritetet nuk kanë bërë të ditura në njoftimin e publikuar identitetet e plota të personave të arrestuar, duke i identifikuar ata me iniciale.
Sipas të dhënave të Policisë së Tiranës, gjatë shtatë ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar gjithsej 271 persona.
Nga këta, 51 persona rezultojnë me precedentë penalë në fusha të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, vjedhjen, mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve, si dhe kundërshtimin apo mosbindjen ndaj punonjësve të Policisë.
Në listën e veprave për të cilat këta persona kanë precedentë përfshihen gjithashtu prostitucioni, shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme dhe shkelje në fushën e mjedisit e të qarkullimit rrugor.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje:
– U arrestuan në flagrancë 33 shtetas, konkretisht: Rr. C., 18 vjeç, L. S., 21 vjeç, D. D., 26 vjeç, E. B., 19 vjeç, E. T., 19 vjeç, E. G., 36 vjeç, A. A., 21 vjeç, A. H., 23 vjeç, O. Xh., 18 vjeç, E. H., 19 vjeç, Dh. H., 20 vjeç, A. R., 19 vjeç, T. T., 29 vjeç, A. L., 19 vjeç, A. B., 18 vjeç, B. T., 42 vjeç, D. L., 21 vjeç, F. M., 22 vjeç, G. B., 20 vjeç, L. M., 19 vjeç, Q. M., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç, Y. I., 31 vjeç, F. L., 29 vjeç, K. P., 18 vjeç, M. M., 18 vjeç, A. B., 42 vjeç, dhe 6 të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
– U proceduan penalisht 41 shtetas.
Këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.
Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie.
Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.