Deputeti socialist Ervin Hoxha duket se ka ulur tensionet me kolegët demokratë, pas përplasjeve fizike të regjistruara gjatë seancës plenare të javës së kaluar. Gjatë incidenteve, Ervin Hoxha u përfshi në një përplasje fizike me deputetin demokrat Fidel Kreka, i cili e shtyu Hoxhën dhe e goditi me kartonin e votimit.
Në pamjet e publikuara, ish-ministri shihet jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, duke biseduar me tre deputetë të Partisë Demokratike: Luçiano Boçin, Luan Baçin dhe Xhelal Mziun.
Të enjten e javës së kaluar, gjatë seancës së parë plenare pas protestave të dhunshme në kryeqytet, në Kuvend u regjistruan tensione mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, të cilat përshkallëzuan në përplasje fizike.
Deputetët e opozitës kërkonin që diskutimi në seancë të përqendrohej te protestat në Tiranë, kërkesë që u shoqërua me debate dhe tensione mes palëve.