Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se 89 persona kanë marrë kujdes shëndetësor pas protestës së djeshme në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Sipas informacionit zyrtar, 79 persona janë trajtuar në Spitalin Universitar të Traumës, ku 61 prej tyre janë efektivë policie dhe 18 protestues. Ndërkohë, 10 persona të tjerë kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Ministria bën me dije se aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar katër efektivë policie dhe dy protestues, të cilët do të qëndrojnë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Pjesa tjetër e të lënduarve ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe është larguar nga spitali, sipas rekomandimeve të mjekëve.
Ndërkohë, në QSUT janë trajtuar 10 pacientë në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së mjekimit përkatës, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve. Sipas ministrisë, aktualisht nuk ka persona që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në këtë spital për shkak të protestës.
Në njoftimin zyrtar thuhet se në Spitalin Universitar të Traumës pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore një protestues dhe dy efektivë policie. Sipas ministrisë, të tre personat janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa do të vijojnë të marrin kujdesin e nevojshëm nga stafi mjekësor.
Postimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Informacion mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme
Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.
Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut.
Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.
Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore.