Një automjet tip BMW u përplas qëllimisht me një grup njerëzish në qytetin Neustadt am Rübenberge, pranë Hanoverit në Gjermani, pak para mesnatës së të hënës. Si pasojë, pesë persona mbetën të plagosur, me dëmtime nga të lehta deri në serioze.
Lajmi u bë i ditur të martën nga një zëdhënës i policisë lokale, i cili deklaroi se, sipas informacioneve paraprake, jeta e asnjërit prej të lënduarve nuk është në rrezik.
Sipas zëdhënësit, një patrullë policie që ndodhej pranë vendngjarjes për një kontroll rutinë të trafikut ndërhyri gjatë incidentit, duke parandaluar lëndime të mëtejshme.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit. Sipas të dhënave fillestare, personat e përfshirë në ngjarje njiheshin me njëri-tjetrin.
Personat që ndodheshin në BMW u larguan nga vendngjarja dhe, sipas policisë, ende nuk janë kapur.
Neustadt am Rübenberge ndodhet në landin e Saksonisë së Poshtme, mes Hanoverit dhe Bremenit. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë.