Mes kaosit, dhunës e përplasje të forta mes protestuesve e policisë u mbyll protesta e ditës së sotme në Tiranë. Nuk munguan moltovët, fishekzjarrët, gurët e protestuesve dhe nga ana tjetër përgjigja e policisë me gaz lotësjellës, ujë me autobotë e plumba gome.
Këtë të shtunë ishin thirrur dy protesta, një nga të rinjtë dhe një tjetër nga PD-ja.
Kjo e fundit e zgjati protestën e saj kombëtare vetëm 1 orë e më pas u nis drejt sheshit të ministrisë së Arsimit për ‘tju bashkuar protestës së të rinjve, në një ambient ku nuk u shfaq shumë e mirëpritur.
E ndërsa pjesa e parë e protestës ishte e qetë, nga ministria e Arsimit nisën aktet e para të forta të dhunës. n
Një pjesë e protestuesve filluan sulmin me gurë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por, pas hedhjes së ujit dhe gazit nga ana e policisë, ata u larguan.
Fillimisht, protestuesit u ndanë në disa drejtime, për t’u ribashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pati sërish përplasje me policinë. Por, pas hedhjes së ujit dhe gazit, protestuesit u tërhoqën në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Në këtë moment nisi kaosi në çdo rrugicë të Tiranës, pranë selisë së PS-së, Bankës Kombëtare dhe Bashkisë, ku persona të maskuar sulmuan për rreth 5 orë policinë me çdo mjet të mundshëm, duke nisur nga fishekzjarrët e gurët, deri te molotovët dhe shkopinjtë.
Për disa orë me radhë, uniformat blu u gjendën nën breshërinë e gurëve, fishekzjarrëve dhe molotovëve.
Po ashtu, për herë të dytë brenda javës, protestuesit sulmuan selinë rozë, por këtë herë me molotovë e fshekzjarrë së bashku. Megjithatë, ndërhyrja e policisë bëri që grupi i protestuesve të largohej, por jo pa pasoja, pasi një tjetër kioskë u përfshi nga flakët.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe kundërpërgjigjja e policisë ishte e fortë, me gaz, ujë dhe plumba gome. Po ashtu edhe shoqërimet e protestuesve në disa raste kanë tejkaluar proprecionalitetin e forcës, duke sjellë një tjetër anë të forcave të policisë.
Pas orësh përplasjesh, sipas informacionit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 19:45 raportohej për 3 efektivë të lënduar, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues.
Në orën 20.00 rrugët u boshatisën duke i dhënë kështu fund një ditë proteste që e kthue Tiranën në një arenë të vërtetë lufte.