Policia ka arrestuar ish-drejtuesin e agjencisë gjermane të inteligjencës së jashtme BND, August Hanning, nën dyshimin për spiunazh, njoftoi të martën Prokuroria Federale. Hanning ka drejtuar agjencinë nga viti 1998 deri në vitin 2005.
Sipas një deklarate të prokurorisë, ai përballet me akuza që përfshijnë spiunazh kundër shtetit, zbulim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari si agjent i shërbimit sekret.
Deklarata shtonte se ishte arrestuar gjithashtu një ish-punonjës i rangut të lartë të BND-së, i dyshuar se i kishte dhënë Hanningut qindra dokumente të klasifikuara në këmbim të parave, për më shumë se një dekadë.
Çfarë dihet tjetër për hetimin?
Policia e arrestoi Hanningun herët të martën në shtëpinë e tij në Nordwalde, pranë qytetit perëndimor gjerman Münster, sipas informacioneve të publikuara nga WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung.
I dyshuari për bashkëpunim me Hanningun, i identifikuar vetëm si Manfred D., në përputhje me ligjet gjermane për mbrojtjen e privatësisë, u vu në paraburgim në Bavari.

Autoritetet po kryenin kontrolle në pronat e të dyshuarve, si dhe në Berlin, tha prokuroria.
Gjatë periudhës kur Hanning drejtonte shërbimin sekret, D. raportohet se shërbente si shefi i kabinetit të tij. Ai përballet me akuza për ndihmë dhe bashkëpunim në tentativën për tradhti dhe spiunazh kundër shtetit.