Një javë pasi ishte njoftuar nga zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump ka hyrë në fuqi armëpushimi në qytetin Oleshky, në jug të Ukrainës.
Marrëveshja synon të krijojë kushte për dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve që ndodhen në vështirësi.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se kishte ndaluar sulmet drejt qytetit Kherson, në anën tjetër të lumit Dnipro, në orën 04:00 sipas kohës së Moskës, në kuadër të përgatitjeve për operacionin humanitar.
Fillimin e armëpushimit e konfirmoi edhe komisioneri ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, i cili deklaroi se pala ukrainase po respektonte angazhimet e saj.
Oleshky ndodhet në bregun jugor të lumit Dnipro dhe kontrollohet nga forcat ruse që prej ditëve të para të pushtimit në shkurt të vitit 2022. Për shkak të pozicionit pranë vijës së frontit, banorët janë përballur me mungesë të madhe ushqimesh dhe furnizimesh bazë.
Para luftës, qyteti kishte rreth 24 mijë banorë. Sipas vlerësimeve ukrainase, aktualisht në qytet dhe zonat përreth kanë mbetur rreth 6 mijë persona, përfshirë 200 fëmijë.
Shtëpia e Bardhë deklaroi javën e kaluar se Melania Trump kishte ndërmjetësuar për arritjen e armëpushimit. Sipas njoftimit, përfaqësues civilë të të dyja palëve do të bashkëpunojnë për të vlerësuar nevojat e banorëve dhe për të organizuar ndihmën e nevojshme.