Fenomeni klimatik El Niño mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e vdekjeve gjatë shtatzënisë dhe lindjes për miliona gra që jetojnë në zonat më të prekura nga krizat humanitare në botë. Mamitë paralajmërojnë se përmbytjet, ciklonet dhe valët ekstreme të të nxehtit, që pritet të intensifikohen në muajt në vijim, mund të pengojnë gratë shtatzëna të marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Sipas vlerësimeve, rreth 15 milionë foshnje pritet të lindin gjatë muajve nëntor dhe dhjetor në vende të identifikuara si zona me rrezik të lartë nga El Niño. Këto lindje përfaqësojnë rreth dy të tretat e totalit botëror për këtë periudhë.
Mes vendeve më të rrezikuara janë Nigeria, Çadi, Republika e Afrikës Qendrore, Sudani i Jugut, Somalia dhe Afganistani. Këto shtete kanë tashmë disa nga normat më të larta të vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve në botë.
Rreth 260 mijë gra humbin jetën çdo vit gjatë shtatzënisë ose lindjes, kryesisht për shkaqe të parandalueshme. Afrika Subsahariane përbën rreth 70 për qind të kësaj barre.
“Nëse je grua, shtatzënë, e përjashtuar nga shoqëria dhe jeton në një zonë të prekur nga katastrofat klimatike, shanset janë kundër teje që para se të mbetesh shtatzënë”, deklaroi Anna af Ugglas, drejtoreshë ekzekutive e Konfederatës Ndërkombëtare të Mamive (ICM). Ajo paralajmëroi se El Niño do të përkojë me rreziqe të tjera shëndetësore, duke e kthyer situatën në çështje jete ose vdekjeje për shumë gra.
Përmbytjet pengojnë gratë të marrin kujdes shëndetësor
Në Bangladesh, ekipet e maternitetit po përgatiten për përmbytjet e mundshme. Christine Ewoi Eloto, mentore mamie në kampet e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar, theksoi se lindjet nuk ndalen gjatë cikloneve, përmbytjeve apo fatkeqësive të tjera natyrore.
Sipas saj, edhe një vonesë e shkurtër në mbërritjen në një qendër shëndetësore gjatë një urgjence obstetrike mund të jetë fatale për nënën ose foshnjën.
Ajo kujtoi se gjatë përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të mëparshme të dheut, shumë gra nuk kishin mundur të shkonin në institucionet shëndetësore, pasi rrugët ishin përmbytur dhe automjetet e transportit kishin mbetur të bllokuara.
Temperaturat ekstreme dhe mungesa e energjisë në Malavi
Në jug të Malavit, temperaturat e larta dhe vështirësitë ekonomike po pengojnë gratë të marrin kujdesin para lindjes. Një sezon i dobët me reshje ka rënduar gjendjen e familjeve fermere, të cilat shpesh nuk kanë mundësi të paguajnë transportin deri në klinika.
Mamia Judith Mgogo tha se temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius për pjesën më të madhe të javës, duke e bërë të vështirë udhëtimin e grave shtatzëna drejt qendrave shëndetësore. Ajo shtoi se ndërprerjet e përditshme të energjisë elektrike e përkeqësojnë situatën.
Mamia Madalitso Malekano, nga distrikti Phalombe, tha se gjatë ndërprerjeve të energjisë lindjet kryhen në ambiente me temperatura të larta ose nën dritën e elektrikëve. Sipas saj, nxehtësia ekstreme po shkakton marramendje dhe lodhje te shumë gra shtatzëna, por edhe te vetë personeli shëndetësor.
Ngjarjet e mëparshme të forta të El Niños kanë lënë më shumë se katër milionë banorë të Malavit pa ushqim. Malekano paralajmëroi se kequshqyerja mund të rrisë rastet e lindjeve të foshnjave me peshë të ulët dhe të hemorragjive të rënda te nënat, si pasojë e anemisë.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron kequshqyerjen një rrezik shumë të lartë në zonat e prekura nga thatësira, veçanërisht për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë foshnjat me gji.
Mamia Emmie Mang’anda paralajmëroi gjithashtu se vështirësitë për të siguruar nevojat bazë mund t’i shtyjnë disa vajza drejt formave të rrezikshme të mbijetesës, përfshirë marrëdhëniet seksuale në këmbim të parave ose ushqimit.
Paralajmërime edhe në Kili
Në Kili, ku përmbytjet kanë dëmtuar komunitete dhe spitale, mamia Natalia Acha Godoy, nga Fondacioni i Maternitetit, ngriti shqetësimin për vështirësitë që hasin gratë shtatzëna për të mbërritur në spitalet e zonave të izoluara.
Sipas saj, rrugët e bllokuara mund të pengojnë edhe transportimin e të porsalindurve që kanë nevojë për kujdes urgjent.
Ndërkohë, Konfederata Ndërkombëtare e Mamive ka publikuar një udhëzues për përballimin e temperaturave ekstreme, të cilat i cilëson si një “katastrofë të padukshme”.
Ekspozimi edhe për një ditë të vetme ndaj mbinxehjes mund të rrisë rrezikun e lindjes së parakohshme, defekteve të lindjes, tensionit të lartë të gjakut dhe mbinxehjes së rrezikshme te të porsalindurit.
Në ditët me temperatura që kërcënojnë shëndetin, mamitë këshillohen të vendosin flamuj të kuq jashtë klinikave për të paralajmëruar gratë që të shmangin punët bujqësore dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta, kur kjo është e mundur.
Grave u rekomandohet gjithashtu të kenë një plan për përballimin e të nxehtit, që përfshin një vend të freskët ku mund të strehohen, ndihmë për punët e përditshme dhe të paktën 15 litra ujë të pijshëm të rezervuar.
“Nxehtësia ekstreme nuk lë pas shkatërrim të menjëhershëm fizik, çka e bën të lehtë nënvlerësimin e pasojave të saj të rënda fiziologjike”, deklaroi Neha Mankani, këshilltare e ICM-së.
Aktivistët e klimës thonë se pasojat e El Niños tregojnë nevojën për masa konkrete nga qeveritë në kuadër të samitit të klimës së OKB-së, COP31, që zhvillohet në Turqi. Ata theksojnë se ndryshimet klimatike dhe cenueshmëria e sistemeve shëndetësore po shtojnë rreziqet për gratë shtatzëna në zonat më të prekura të botës.