Situata gjatë protestës së studentëve në Tiranë është përshkallëzuar, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve janë raportuar edhe efektivë të lënduar.
Një prej momenteve të tensionuara u regjistrua mbrëmjen e sotme, kur një efektiv policie, që ndodhej pranë vendit ku shpërtheu zjarri, u përfshi nga flakët në këmbë. Sipas raportimeve, zjarri u shua menjëherë dhe situata u vu nën kontroll.
Pas incidentit, bashkëshortja e efektivit reagoi gjatë një komunikimi me gazetarët, duke shprehur zemërimin për atë që kishte ndodhur dhe duke kërcënuar personin që, sipas saj, ishte përgjegjës.
“Nëse tim shoqi i ndodh gjë, atij studenti do t’ia shuaj unë gjithë familjen. Është dëmtuar”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, gjatë protestës janë raportuar përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Sipas dëshmive dhe raportimeve, disa gjimnazistë dhe studentë janë goditur me shkopinj gome e druri, ndërsa të tjerë janë tërhequr zvarrë nga efektivët.
Rrethanat e plota të incidenteve dhe përgjegjësitë për dëmtimin e efektivit mbeten për t’u sqaruar.