Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar organizimin e një proteste ditën e nesërme, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Tubimi synon të kërkojë drejtësi për të gjitha gratë e vrara në Kosovë dhe të ngrejë zërin kundër dhunës ndaj grave.
Përmes një thirrjeje publike, organizatorët u kanë bërë apel qytetarëve që të ndërpresin përkohësisht punën, mësimin dhe aktivitetet e përditshme, për t’iu bashkuar protestës.
Sipas njoftimit, kërkesat kryesore lidhen me garantimin e sigurisë dhe lirisë për gratë, si dhe me përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Organizatorët paralajmërojnë gjithashtu se synojnë të bllokojnë sërish institucionet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.