Peshëngritësi shqiptar Briken Calja nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që po zhvillohet në Kinë, megjithëse kishte udhëtuar drejt vendit pritës. Sportisti 36-vjeçar ka njoftuar tërheqjen nga gara për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit.
Teksa përgatitej për të dalë në pedanë, Calja bëri të ditur se dëmtimi mund të ndikojë në garat e ardhshme dhe se ka vendosur të mos rrezikojë përkeqësimin e gjendjes fizike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, peshëngritësi shpjegoi arsyet e tërheqjes, duke theksuar se, pavarësisht formës së mirë sportive dhe përgatitjeve për kampionat, shëndeti duhet të jetë përparësi.
“Një moment shumë i vështirë, por një vendim i domosdoshëm! Me keqardhje njoftoj tërheqjen time nga Kampionati Botëror për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit, që e bën të pamundur vazhdimin e garës.
Pavarësisht formës së jashtëzakonshme sportive që kisha dhe vazhdoj të kem, sot më duhet të bëj një hap pas. Një vendim aspak i lehtë, sidomos kur e di sa shumë kam punuar, sa sakrifica kam bërë dhe sa i përgatitur isha për këtë kampionat. Por karriera e një sportisti nuk ndërtohet mbi një garë të vetme. Kampionati i radhës po afron dhe nuk mund të rrezikoj që një dëmtim të më mbajë larg pedanës për një periudhë të gjatë.
Ky nuk është dorëzim, por një vendim i menduar për të mbrojtur gjithçka që kam ndërtuar dhe për të vazhduar rrugëtimin dhe objektivat e mia. Beteja ime nuk përfundon këtu. Do të rikthehem sërish më i fortë dhe më i vendosur se kurrë!”, shkroi Calja.