Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sërish thirrje për bashkimin e opozitës, duke ftuar të gjithë aktorët politikë kundër qeverisë të bashkohen përballë asaj që ai e cilësoi si “rrezik ekzistencial” për Shqipërinë.
Gjatë një takimi me demokratët në Berat, Berisha deklaroi se edhe shqiptarët duhet të bashkohen sot, pavarësisht dallimeve politike.
“Më pyesnin mua: ‘Edhe me Qorin do të bashkohesh?’ Po, po, me të gjithë. Asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Unë nuk do të them ndrysho platformën tënde politike. Mbaje, zotëri, e ke kundër PD-së, mbaje kundër PD-së. Po hajde, njëherë, të heqim këtë të keqe të madhe”, u shpreh Berisha.
“Winston Churchill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet me një kusht të vetëm, bashkimin.
Mbi këto parime, ai u bashkua me Josif Stalinin, që është padiskutim krimineli më i madh i shekullit, por u bashkua për të përballur një makineri të tmerrshme lufte, që po mbillte vrasje e djegie në mbarë Europën. Dhe ia doli.Dhe të themi ne që shqiptarët të mos bashkohemi sot?
Kurrë! Ne kemi një rrezik ekzistencial, një rrezik që po na përzë nga Shqipëria, që ka kthyer pasuritë tona në mallkim për shqiptarët.
Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet.Atëherë, hajde të bashkohemi! Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj. Dhe ju, liderë, ngrihuni!
Mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në. Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni.”