Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pretenduar se prej vitesh nuk mund të vizitojë Kosovën, pasi, sipas tij, hyrja e tij në territorin kosovar pengohet nga kryeministri Albin Kurti. Ai ka deklaruar gjithashtu se as familjarët e tij nuk mund të udhëtojnë drejt Kosovës pa marrë një leje të posaçme.
Në një intervistë për revistën Nacionalni Magazin, Vuçiç ka ngritur si shqetësim atë që e konsideron trajtim të pabarabartë nga autoritetet kosovare ndaj tij dhe përfaqësuesve të Listës Studentore.
“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë. As si qytetar, madje as ndonjë anëtar i familjes sime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa atyre ua lejon”, është shprehur presidenti serb.
Vuçiç i është referuar edhe vizitës së përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë, të cilët kanë marrë leje për të hyrë në vend dhe janë takuar me peshkopin e Graçanicës, Teodosije.
Sipas tij, përfaqësuesit e dinin se leja ishte dhënë për shkak të statusit të tyre politik, ndonëse fillimisht kishin deklaruar se vizita nuk kishte karakter politik.
Presidenti serb ka vënë në pikëpyetje vendimin e autoriteteve kosovare për të lejuar hyrjen e tyre, ndërkohë që, sipas pretendimeve të tij, atij dhe familjarëve të tij u mohohet e njëjta mundësi.
Ai ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Nenad Rashiçit ndaj përfaqësuesve të Listës Studentore, duke e cilësuar situatën si një tjetër kontradiktë në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës.