Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha sot se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin aktualisht të nevojshme rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit. Ai deklaroi se presioni ekonomik i ushtruar nga Uashingtoni po shkakton pasoja të rënda për Teheranin, duke ulur nevojën për një përshkallëzim të ri ushtarak.
“Fushata ekonomike kundër Iranit është aq shkatërruese saqë në këtë moment nuk ka nevojë për operacione të mëdha ushtarake”, u shpreh Rubio pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të G7-ës në Paris, ku ai informoi aleatët për strategjinë amerikane ndaj Iranit.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters, sekretari amerikan argumentoi se sanksionet po kufizojnë aftësinë e Iranit për të financuar aktivitetet e tij në rajon dhe organizatat që mbështet.