Një incident sigurie ka shkaktuar alarm pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, pasi një automjet është përplasur me një tabelë dhe ka përfunduar në zonën e këmbësorëve në parkun Lafayette Square, përballë rezidencës presidenciale.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, drejtuesi i automjetit është përplasur fizikisht me efektivët e Shërbimit Sekret dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare, përpara se të vihej në pranga.
Në një incident të dytë, pothuajse në të njëjtën kohë, një person tjetër ka kapërcyer një barrierë sigurie në pjesën veriperëndimore të parkut. Edhe ai është arrestuar nga autoritetet.Pas ngjarjeve, zona përreth Shtëpisë së Bardhë është vendosur përkohësisht në izolim sigurie. Gazetarëve që ndodheshin brenda kompleksit presidencial iu kërkua të qëndronin në sallën e konferencave për shtyp.