Një histori e fortë solidariteti vjen nga futbolli spanjoll. Klubi i Tenerife-s ka vendosur të marrë përsipër mbështetjen financiare të Carla-s, vajzës vetëm njëvjeçare të sulmuesit Jesús de Miguel, i cili humbi jetën tragjikisht pas një përplasjeje gjatë një ndeshjeje futbolli.
Vendimi emocionues u bë publik nga aksionari kryesor i klubit, Rayco García, gjatë ceremonisë së organizuar në nderim të futbollistit. Drejtuesit e Tenerife-s kanë premtuar se do të kujdesen për të ardhmen e vogëlushes, duke i garantuar ndihmë ekonomike të paktën deri në moshën 18-vjeçare.
Drejtori i përgjithshëm i klubit, Antonio Manuel Porro Granados, bëri të ditur se ky angazhim është ndërmarrë me iniciativën e aksionarit kryesor dhe ka mbështetjen e të gjithë klubit.
“Dëshirojmë të qëndrojmë pranë vajzës dhe të sigurohemi që e gjithë familja e Tenerife-s ta mbështesë. Angazhimi ynë është të jemi pranë saj të paktën deri në moshën madhore”, u shpreh ai. Gjithashtu, drejtuesi zbuloi se po shqyrtohen edhe mundësi të tjera për të zgjeruar ndihmën ndaj familjes.
Jesús de Miguel u nda nga jeta në moshën vetëm 30-vjeçare, pas një përplasjeje me portierin e Andorrës, Jesús Owono, gjatë një ndeshjeje të kampionatit të kategorisë së dytë spanjolle. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor dhe transportimit në spital, sulmuesi nuk arriti të mbijetonte.
Në një moment të dhimbshëm për familjen, Tenerife ka zgjedhur të mos mjaftohet vetëm me homazhe, por të marrë përsipër edhe një përgjegjësi konkrete për të ardhmen e vajzës së futbollistit.
Një gjest që dëshmon se solidariteti në futboll mund të shkojë përtej fushës së lojës.