Grupet e organizuara kriminale shqiptare në Itali nuk konsiderohen më thjesht bashkëpunëtore të mafias italiane në trafikun e drogës.
Ato kanë fituar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në disa prej rrjeteve kriminale më të fuqishme të vendit, deri në atë pikë sa përfaqësuesit e tyre marrin pjesë edhe në takimet e nivelit të lartë të organizatave mafioze.
Ky është një nga konstatimet më domethënëse të raportit të Komisionit Parlamentar Antimafia të Italisë, me titull “Mbi ’Ndrangheta-n në Italinë Veriore: shtrirja territoriale dhe format e reja të veprimtarisë”, miratuar më 3 nëntor 2026. https://documenti.camera.it/_dati/leg19/lavori/documentiparlamentari/IndiceETesti/023/028/INTERO.pdf
Në qendër të vëmendjes është hetimi Hydra, i zhvilluar në Lombardi, i cili ka zbuluar marrëdhënie dhe bashkëpunim mes ’Ndrangheta-s, Cosa Nostra-s dhe grupeve të tjera kriminale, përfshirë ato shqiptare.Në raport, prokurorja e Milanos, Alessandra Cerreti, e përshkruan praninë e grupeve shqiptare me një formulim domethënës: “Një prani e heshtur, por e vazhdueshme dhe e kualifikuar”, përkrah ’Ndrangheta-s dhe Cosa Nostra-s.
Sipas dëshmisë së saj, përfaqësues të grupeve shqiptare kanë qenë të pranishëm në momentet më të rëndësishme të jetës së organizatës, përfshirë edhe samitet e takimet më të rëndësishme të nivelit të lartë.Fakti që përfaqësues shqiptarë mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të dëgjojnë diskutimet mbi çështjet thelbësore të organizatës, sipas prokurores, kërkon një rivlerësim të rolit të tyre.
Ajo i përshkruan ata si bashkëbisedues gjithnjë e më të rëndësishëm, pothuajse në nivel të barabartë me organizatat tradicionale mafioze.
Raporti ndalet edhe te shtrirja e këtyre marrëdhënieve në Liguria, ku portet e Gjenovës, Vado Ligure dhe La Spezia përshkruhen si pika strategjike për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Prokurori i Gjenovës, Nicola Piacente, ka evidentuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe strategjike mes organizatave kriminale kalabreze dhe atyre shqiptare.
Sipas tij, hetimet kanë zbuluar një zinxhir bashkëpunimi ku përfshihen furnizuesit e Amerikës së Jugut, grupet kalabreze, organizatat shqiptare dhe persona të lidhur me logjistikën portuale.Në dokument përmenden edhe metoda të sofistikuara për nxjerrjen e kokainës nga kontejnerët, përfshirë ndërhyrjet në zonat portuale dhe përdorimin e zhytësve. Prokurori ka përmendur raste kur organizata shqiptare kanë përdorur edhe këtë metodë për rikuperimin e ngarkesave të drogës.
Raporti i Antimafias italiane evidenton kështu një transformim të rëndësishëm të kriminalitetit të organizuar: bashkëpunimi mes grupeve me origjinë të ndryshme nuk kufizohet më në marrëveshje të rastësishme, por në marrëdhënie të qëndrueshme dhe strategjike, ku secili grup ka një rol të përcaktuar në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Dokumenti është publikuar nga Dhoma e Deputetëve dhe Senati i Italisë dhe përbën një nga vlerësimet më të fundit institucionale mbi shtrirjen e ’Ndrangheta-s dhe marrëdhëniet e saj me organizatat kriminale të huaja.