Prokuroria Kombëtare e Polonisë ka nisur hetimet për të shtënat me armë zjarri të ndodhura më 7 nëntor 2026 në Krakov dhe Ostrowiec Świętokrzyski. Lajmi u bë i ditur të dielën, më 8 nëntor, përmes një njoftimi të publikuar në platformën X.
Sipas njoftimit, hetimi përfshin vrasjen e gjashtë personave në Krakov dhe tentativën për vrasjen e disa personave të tjerë, mes tyre edhe punonjës policie. Prokuroria po heton gjithashtu vrasjen e tre personave me armë zjarri në Ostrowiec Świętokrzyski.
Prokuroria: Të dyja ngjarjet dyshohet se janë kryer nga i njëjti person
Sipas hetuesve, provat e mbledhura deri më tani tregojnë se të dyja ngjarjet mund të jenë kryer nga i njëjti person.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë kryer ekzaminime mjeko-ligjore në Krakov dhe Ostrowiec Świętokrzyski, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Gjashtë viktima dhe 16 të plagosur
Të dielën në mëngjes, guvernatori i rajonit të Małopolska-s, Krzysztof Klęczar, dha detaje mbi bilancin e sulmit në Krakov.
Sipas tij, mes viktimave janë pesë burra dhe një grua. Katër prej tyre janë shtetas polakë, ndërsa për një grua 51-vjeçare, që nuk ishte shtetase polake, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur kombësinë. Viktima e gjashtë ishte një burrë polak rreth 50 vjeç.
Klęczar bëri të ditur gjithashtu se nga sulmi janë plagosur 16 persona, mes tyre dy efektivë policie që ndërhynë ndaj autorit të dyshuar. Edhe ky i fundit ka mbetur i plagosur.
Sipas të dhënave të bëra publike nga guvernatori, 14 prej të plagosurve ndodheshin në gjendje të qëndrueshme, një person ishte në gjendje të rëndë, ndërsa i dyshuari ishte në gjendje kritike. Ai iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë natës.
Njëri efektiv në koma, bëhet apel për dhurim gjaku
Zëdhënësja e Policisë së Małopolska-s, Katarzyna Cisło, tha për Polsat News se njëri prej efektivëve të plagosur ishte jashtë rrezikut, ndërsa tjetri ndodhej në koma.
Autoritetet kanë bërë gjithashtu apel për dhurim gjaku për efektivin Jakub Kulik, për të cilin kërkohet grupi AB Rh+. Sipas njoftimit, mund të dhurohet edhe gjak i grupeve të tjera.