Inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm do të pajisen me kamera inteligjente të vendosura në trup, të cilat do të regjistrojnë në kohë reale veprimet e tyre gjatë kontrolleve në biznese. Kryeministri Edi Rama kërkoi gjithashtu t’i jepet fund kontrolleve të befasishme, duke theksuar se inspektimet duhet të përqendrohen te parandalimi i shkeljeve dhe këshillimi i sipërmarrjeve, dhe jo te vendosja e gjobave.
Gjatë një konference të organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku u prezantua qasja e re ndaj inspektimeve në biznese, Rama bëri të ditur se inspektorët do të mbajnë veshje civile, me kostum dhe kravatë, ndërsa kamerat do të lidhen drejtpërdrejt me qendrën e monitorimit.
“ Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup, që do të jetë e lidhur me qendrën, dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale. Kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, kamerat do të shërbejnë jo vetëm për regjistrimin e kontrolleve, por edhe për monitorimin e sjelljes së inspektorëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Rama u ndal edhe te ndryshimi i mënyrës së funksionimit të inspektimeve, duke theksuar se bizneset duhet të ndihmohen për të përmbushur standardet e kërkuara, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian.
Ai deklaroi se qëllimi i inspektimeve nuk duhet të jetë kapja e bizneseve në gabim apo vendosja e gjobave, por parandalimi i shkeljeve përmes paralajmërimit dhe orientimit.
“Adaptimi me tregun e madh dhe të egër të BE-së, ku konkurrenca është shumë herë më e madhe dhe ku lufta për mbijetesë është shumë më e sofistikuar sesa deri më sot këtu brenda kufijve të këtij tregu. Inspektimet shkojnë në këtë drejtim, instrument që duhet ta ndihmojë biznesin që të rrisë standardet dhe të përgatitet për tregun e BE-së. Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t’i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që kontrollet e befasishme në biznese të marrin fund, duke i krahasuar ato me operacionet për kapjen e grupeve kriminale.
“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal. Territoret ku operon sipërmarrja janë territoret ku rritet ekonomia e përbashkët”, theksoi Rama.
Qasja e prezantuar synon ndryshimin e marrëdhënies mes inspektorëve dhe bizneseve, duke vendosur theksin te këshillimi, transparenca dhe respektimi i standardeve. Detajet mbi mënyrën e zbatimit të sistemit të ri pritet të bëhen të ditura në vijim.