Një rrjet ndërkombëtar i dyshuar për trafikimin e kokainës dhe pastrimin e parave është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Caveau 38”. Në qendër të hetimeve janë një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe dy kompani që dyshohet se përdoreshin për të fshehur të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas hetuesve, organizata ishte e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të rreth 240 kilogramëve kokainë, me aktivitet në Itali, Holandë, Gjermani dhe Shqipëri. Nga kjo veprimtari dyshohet se janë gjeneruar mbi 14 milionë euro, të cilat mblidheshin në Itali dhe më pas transferoheshin drejt Shqipërisë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Antimafias së Milanos (DDA), në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Guardia di Finanza ekzekutoi sekuestro parandaluese ndaj dy kompanive që, sipas hetimeve, shërbenin për pastrimin dhe investimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës.
Ari dhe pasuritë e paluajtshme, skema për fshehjen e parave
Një prej mënyrave të përdorura për të fshehur origjinën e parave dyshohet se ishte blerja e shufrave të arit. Sipas hetuesve, janë dokumentuar blerje prej afro 8 kilogramësh ar, të realizuara përmes një kompanie që operonte në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria.
Një tjetër kompani dyshohet se shërbente si “kasaforta” financiare e grupit, duke investuar kapitalet e dyshuara kriminale në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Për kompanitë e sekuestruara është emëruar një administrator gjyqësor, i cili do të kujdeset për administrimin e tyre.
52 persona nën hetim, 6 të arrestuar
Hetimet përfshijnë veprimtari të dyshuara kriminale të kryera gjatë periudhës 2019–2022. Në kuadër të dosjes janë marrë nën hetim 52 persona dhe dy kompani.
Sipas autoriteteve, anëtarët e grupit përdornin sisteme të enkriptuara komunikimi për të koordinuar transaksionet e drogës dhe lëvizjen e parave cash.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar mbi 1.5 milionë euro para të gatshme, si dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre kokainë, heroinë dhe marihuanë. Gjithashtu, gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë.
Operacioni “Caveau 38” nxjerr në pah dyshimet për një skemë që ndërthurte trafikun ndërkombëtar të drogës me investimet në ar dhe pasuri të paluajtshme, me synimin për t’i dhënë një pamje të ligjshme fitimeve të paligjshme.