Jasir Asani vazhdon të shkëlqejë në futbollin aziatik, duke u kthyer sërish në protagonistin kryesor të Esteghlalit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vendosur fatin e përballjes ndaj Al Shamal, duke shënuar golin e vetëm të takimit në minutën 90+1 dhe duke i siguruar skuadrës së tij një fitore të rëndësishme me rezultatin 1-0.
Gjithçka u vendos në çastet e fundit të ndeshjes, kur Asani përfitoi nga një pasim i Mohammadhossein Eslamit dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën te skuadra iraniane. Një gol me peshë të veçantë, që konfirmon edhe një herë aftësitë vendimtare të futbollistit shqiptar.
Ky triumf i dha Esteghlalit tri pikë të rëndësishme në Champions League-n aziatike. Pas katër ndeshjeve në fazën e ligës, skuadra ka arritur kuotën e 9 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje.
Paraqitja e Asanit u vlerësua maksimalisht, pasi shqiptari u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Edhe statistikat e tij këtë sezon flasin qartë për formën e shkëlqyer që po kalon: 7 gola dhe 2 asistime.
Me gola vendimtarë dhe paraqitje të rëndësishme, 31-vjeçari po konfirmon gjithnjë e më shumë rolin e tij në formacionin e Esteghlalit, duke vazhduar të përfaqësojë me sukses futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.