Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa gjatë protestës janë regjistruar vatra të reja zjarri në zonën pranë Sheshit “Skënderbej”.
Sipas informacioneve paraprake, në pjesën pas godinës së 15-katëshit, protestuesit u kanë vënë flakën stolave plastikë dhe koshave të mbeturinave, duke shkaktuar një zjarr të konsiderueshëm në mes të rrugës.
Flakët janë shoqëruar me re të dendura tymi të zi, të cilat kanë mbuluar zonën përreth, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke krijuar shqetësime për personat që ndodheshin pranë vendngjarjes.
Pas incidentit, në zonë kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tij.
Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka ndihmuar në shmangien e rrezikut që flakët të përfshinin një objekt aty pranë, si dhe pemët përgjatë sheshit.
Ndërkohë, zhvillimet në qendër të Tiranës vijojnë të karakterizohen nga tensione, ndërsa protestat vazhdojnë.