Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin zyrtar të personave të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë. Sipas të dhënave të përditësuara deri në orën 19:45, gjithsej 13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në strukturat spitalore të kryeqytetit.
Mes të lënduarve janë 8 protestues, 3 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 2 përfaqësues të mediave që po ndiqnin zhvillimet në terren.
Numri më i madh i të lënduarve, 9 persona, është paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre është edhe protestuesi që pësoi dëmtime të rënda në sy. Sipas informacionit të publikuar, ai po i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pesë persona kanë lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Ndërkohë, në QSUT janë trajtuar një protestues dhe një efektiv policie, ndërsa në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 kanë marrë ndihmë dy efektivë policie me dëmtime në zonën e syve, të lidhura me mjetet piroteknike apo përplasjet në terren.
Sipas bilancit zyrtar, personat e trajtuar në këto dy struktura janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore.