Shqipëria shënon një tjetër hap në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë të martë, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria pritet të arrijë në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar përparimin në negociatat e anëtarësimit. Objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e negociatave brenda vitit 2027.
Kapitulli 20 përfshin politikat që lidhen me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, politikat industriale, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se vendi pritet të mbyllë Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që zhvillohet sot në Luksemburg.
Në mesazhin e tij në Facebook, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.
Axhenda zyrtare
16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.
16:45 – Deklarata për mediat (doorstep).
16:50 – Fotografi e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrit irlandez Thomas Byrne.
17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe miratimi i agjendës.
17:45 – Përfundimi i konferencës dhe konferenca për shtyp me kryeministrin Edi Rama, komisioneren Marta Kos dhe ministrin irlandez Thomas Byrne.