Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Tiranës për arrestimet gjatë protestave.
Reagimi vjen pasi Balla vuri në pikëpyetje rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke iu referuar vendimit të prokurorit për të mos dërguar në gjykatë çështjen ndaj personave të arrestuar gjatë protestave.
“Kur vihet zjarr mbi GJL apo BSH dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë, s’di nëse është ende në punë kreu i ILD”, deklaroi më herët Balla, duke aluduar për lidhje të mundshme mes prokurorit dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se pretendimet për lidhje politike të një prokurori, kur nuk shoqërohen me fakte konkrete, rrezikojnë të zhvendosin debatin nga argumentet juridike te diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit.
Sipas Shoqatës, prokurorët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe vendimet e tyre duhet të bazohen në faktet dhe provat e administruara, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ajo nënvizon se vendimet e prokurorisë mund të kritikohen publikisht dhe se pavarësia nuk i përjashton prokurorët nga llogaridhënia. Megjithatë, thirrjet publike për ndërhyrjen e ILD-së, të lidhura drejtpërdrejt me një vendimmarrje konkrete, mund të krijojnë presion mbi prokurorin dhe vendimet e tij të mëtejshme.
Në përfundim, Shoqata thekson se çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike duhet t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe të shqyrtohet mbi bazën e fakteve dhe procedurave ligjore.
Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës. Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.
Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik. Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo. Tiranë, më 22.10.2026