Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu mësohet se ka takuar të premten, më 30 tetor, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.
Takimi është konfirmuar edhe nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Ky i fundit pretendon se gjatë takimit Veliajt i është kërkuar të japë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj sipas avokatit nuk e ka pranuar ultimatumin.
Deri më tani, nuk ka detaje të tjera të konfirmuara mbi përmbajtjen e bisedës mes ministrit dhe kryebashkiakut.
Ndërkohë, më 28 tetor, Erion Veliaj u transferua nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit. Pas këtij transferimi, ai reagoi duke pretenduar se nuk ishte njohur me aktin zyrtar dhe arsyet ligjore që qëndronin pas vendimit për ndryshimin e institucionit ku mbahet në paraburgim.