Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat në Tiranë, duke krahasuar numrin e punonjësve të policisë të plagosur me atë të protestuesve të lënduar. Sipas tij, ndryshe nga situata e raportuar në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Rumani, në Shqipëri bilanci është i përmbysur, me më shumë efektivë policie të plagosur sesa protestues të lënduar.
Rama ka kritikuar mediat dhe rrjetet sociale, duke i akuzuar se, sipas tij, kanë paraqitur një pasqyrim të shtrembëruar të ngjarjeve dhe kanë heroizuar protestuesit e përfshirë në incidente.
Në reagimin e tij, kryeministri pretendon se mediat kanë krijuar përshtypjen e një proteste studentore të karakterizuar nga dhuna e ushtruar ndaj të rinjve, ndërsa, sipas tij, nuk i kanë dhënë vëmendjen e duhur dhunës ndaj Policisë së Shtetit.
Rama kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të një pjese të mediave, duke ngritur akuza për korrupsion, përfitime financiare dhe përhapje të gjuhës së urrejtjes. Ai pretendoi se gazetarët dhe kameramanët që raportojnë nga terreni përballen me kushte të vështira pune.
Këto deklarata janë pjesë e qëndrimit të kryeministrit dhe përbëjnë akuza ndaj mediave, të cilat nuk shoqërohen në reagimin e publikuar me prova për t’i verifikuar në mënyrë të pavarur.
Kryeministri tha se së shpejti do të publikojë pamje dhe të dhëna për personat që, sipas tij, janë paraqitur si studentë, por nuk kanë lidhje me universitetet apo jetën studentore.
“Studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët”, shkroi Rama.
Në përfundim, ai bëri dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës, duke theksuar se problemet e studentëve duhet të trajtohen përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm
Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:
Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë
Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur
Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik
Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet
Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit
Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës
I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore
STUDENTËT E VËRTETË JANË ATA QË DUAN TA SFIDOJNË POLITIKËN DHE QEVERINË PA NGRITUR DORËN KUNDËR KUNDËR PRONËS PUBLIKE E PRIVATE, PO DUKE TREGUAR ME GISHT PLAGËT QË KËRKOJNË SHËRIM ME DIALOG DHE ANGAZHIM TË PËRBASHKËT